Mungesës së investimeve nga ana e Bashkisë së Tiranës, veçanërisht në shtimin e hapësirave të gjelbra, tani po i shtohet edhe një problem tjetër akoma më shqetësues: shkatërrimi i parqeve ekzistuese për të përmbushur interesat klienteliste dhe korruptive të drejtuesve të kësaj bashkie.

Sot në orët e para të mëngjesit banorët e zonës tek ish- Fusha e Aviacionit, që ndodhet në territorin e Njësisë Bashkiake Nr. 7, janë përplasur me përfaqësuesit e një biznesi privat, i cili kishte nisur të vendoste sipër hapësirës së gjelbër një kënd lodrash, nën dijeninë  e plotë të Bashkisë së Tiranës. Jo vetëm kaq, por ky biznes kishte prerë disa pemë të mbjella aty, për të liruar hapësirën ku do të vendoste pajisjet e parkut.

Banorët kanë kundërshtuar me forcë shkatërrimin e kësaj pjese të parkut, për të cilin vetëm dy vjet më parë janë investuar nga bashkia e drejtuar në atë kohë nga socialistët, 5 milionë euro. Ata nuk kanë lejuar vazhdimin e punimeve dhe kanë këmbëngulur se për ta është më i rëndësishëm parku dhe hapësira e gjelbër se sa një park lodrash me pagesë, të cilit bashkia duhet t’i gjejë një vend tjetër më të përshtatshëm. Me banorët e zonës janë bashkuar edhe deputetët socialistë Vasilika Hysi e Besnik Bare, si dhe kryetari i Njësisë bashkiake nr.6, Erjon Koka, të cilët kanë mbështetur protestën e drejtë të banorëve.

Deputetja Vasilika Hysi tha se ky është akti i katërt shkatërrues madhor i Bashkisë së Tiranës në një vit që qeveriset nga pala tjetër: “Ne sot kemi ardhur këtu për të denoncuar shkatërrimin e radhës që po bën Bashkia e Tiranës. Ky është parku i dytë më i madh në Tiranë, investim i Bashkisë së Kryeqytetit, në kohën që drejtohej nga Edi Rama dhe që u përurua duke pasur 28 mjedise që do ofronin shërbim falas për fëmijët, familjarë, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuar etj. Para se të ngrihej parku këtu ka qenë një vendgrumbullim i inerteve, plehrave dhe bagëtive. Po të shikoni sot këta banorë kanë përfituar një rritje të mirëqenies dhe të vlerës së banesave të tyre, por edhe bizneset kanë një mjedis më të mirë. Çfarë ndodh? Brenda një muaji janë dy biznese private që Bashkia i vendos këtu pa asnjë lloj leje duke shkatërruar hapësirën e gjelbër. PS dhe deputetët e saj nuk janë kundër bizneseve, përkundrazi jemi për rritjen e zhvillimin e tyre, por kërkojmë që ato të zhvillohen sipas rregullave. Ky është shkatërrimi i katërt që bën Bashkia e Tiranës. Ju kujtoj Sheshin “Skënderbe” ku taksat e qytetarëve të Tiranës shkuan dëm. Rrugën pedonale e cila sipas interesave të kryetarit të Bashkisë kthehet në qofteri e birrari. Prerjen e pemëve në parkun e madh të Tiranës dhe së fundi ky këtu që është shkatërrimi i katërt i madh që bën ky institucion. Jemi këtu në krah të qytetarëve sepse kemi marrë jashtëzakonisht shumë ankesa, telefonata çdo ditë nga qytetarë për këtë shkatërrim. I kërkojmë kryetarit të bashkisë të ndërpresë veprimet shkatërruese të mjedisit”.

Pasi ja kanë arritur qëllimit për të zmbrapsur në ditën e sotme firmën që tentonte të zinte hapësirën e gjelbër, banorët të mbështetur nga të zgjedhurit socialistë janë shprehur të vendosur për të mos lejuar në asnjë rast abuzimet e bashkisë së Tiranës, që synojnë të shkatërrojnë një park për interesa aspak transparente dhe shumë të dyshimta korruptive.